Ndërmarrja publike "Komunalia" propozon rritje të buxhetit për vitin 2018
Në seancën e 25 të këshillit komunal të komunës së Bujanocit u aprovua propozimi i programit të punës me planin financiar për vitin 2018 të ndërmarrjes më të madhe lokale "Komunalia".Drejtori teknik i kësaj ndërmarrje, Ilir Taipi paraqiti para anëtarëve të këshillit komunal edhe programin e veçantë në të cilin parashihen përmirësimi i shërbimeve nga kjo ndërmarrje në të mirë të qytetarëve të komunës së Bujanocit, shkruan Titulli.com.
Sipas tij përmes programit të veçantë ndërmarrja publike “Komunalia “ parasheh që buxheti të jetë 38 milion e 227 mijë dinarë nga 25 milion sa ishte gjatë vitit 2017.
Kryetari i komunës Shaip Kamberi, tha se nga Organizata UNDP kanë marrë dy projekte ku financohen hapja e një pusi në rrugën qarkore Bujanoc-Tërnoc për furnizim me ujë të pijshëm të fshatit Tërnos si dhe një kamion për mbledhjen e mbeturinave ku do të shërbej për zgjerimin e mbledhjes së mbeturinave në fshatrat si Nesalcë, Letovicë, Klenikë dhe Levosojë.
Propozimi i buxhetit për ndërmarrjen publike “Komunalia” do diskutohet dhe miratohet në seancën e ardhshme të kuvendit komunal./Titulli.com/